top of page
Search

E ardhmja digjitale - shkollat pa internet e kompjuter

24 hours ago
12 min read

Shkollat në nivel vendi ende ballafaqohen me mungesën e pajisjeve të teknologjisë dhe qasjes në internet madje edhe ato që janë nuk mirëmbahen nga personeli i shkollës.


Në gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti mos përditësimi i kompjuterëve në klasa është duke e pamundësuar përdorimin e rregullt të kompjuterëve në klasën për IT për 650 nxënësit në këtë shkollë.


U.R nxënëse e kësaj shkolle derisa flet për mungesën e qasjes në pajisje teknologjike bën të ditur se edhe ata pak kompjuter që janë nuk mund të shfrytëzohen si pasojë e mosmirëmbajtjes.


"Kompjuterë kemi shumë pak ndoshta janë tre ose katër, por nuk na funksionojnë që të kryejmë ndonjë detyrë sepse më duket që nuk janë të bërë update dhe për këtë arsye nuk i kemi programet që na duhen”, tregon ajo.  

Nxënësja thotë se shpesh herë e përdorë telefonin e saj për të kryer punimet e përcaktuara nga profesori i lëndës së IT apo lëndëve të tjera pasi që klasa ka pak laptopë krahasuar me numrin e nxënësve. Ajo thekson se në rastet kur punojnë radhazi në laptopë një pjesë e nxënësve nuk arrij t’i përfundojnë punimet pasi që përfundon orari mësimor.


"Lapotopa kemi, por prapë nuk janë të mjaftueshëm. Për shembull për një klasë me 15 nxënës është e vështirë duhet që të bëhemi në grupe dhe të punojmë se bashku ose një nga një, por prapë shumica mbesin pa punu deri ne fund të orës. Nëse kemi aplikacion që mundemi me punu edhe përmes telefonit më mirë punoj në telefon vet se sa më duhet të pres në grupe deri sa të më vij radha”, thekson ajo.  


A.K, tjetër nxënëse në po këtë gjimnaz, thotë se përveç kompjuterëve të cilët janë jashtë funksionit në kabinet ka mungesë edhe të mausve që ia pamundëson qasjen në kompjuter madje kanë edhe mungesë të librave për këtë lëndë andaj mësimdhënësi detyrohet që shpjegimin e lëndës ta bëj përmes televizorit. “E vështirëson shumë sepse nuk kemi mjaftueshëm laptopa ,kurse kompjuterët nuk na funksionojnë edhe nuk na dërgojnë tek kabineti. Orën e teknologjisë e mbajmë në klasë. TV e kemi në të dy kabinetet e TIK-ut që na e mundëson profi/ja me i shpjegu temat shkaku i mungeses së libres ”, konfirmon ajo.  

Nga problemi me pajisje teknologjike tek problemi me qasje në internet.  


Gjimnazistja U.R nuk është e sigurt nëse shkolla ka internet pasi që thotë se vitin e kaluar ndonëse kanë pas internet mësimdhënësit nuk ia kanë lejuar qasjen, për këtë arsye ajo thotë se detyrohen të përdorin internetin përmes telefonit të tyre.


“Më duket që ka (internet). Vitin e kalum ka pas e kemi kërku passëord-in por mësimdhënësit nuk na e kanë tregu. Pra, edhe ky problem e vështirëson shume mësimin sepse pothuajse nëpër çdo njësi që na duhet të hulumtojmë në internet apo projektet që i punojmë duhet te kemi rrjet”- tregon tutje. 

Të njëjtin shqetësim e ka edhe nxënësja tjetër A.K. Edhe ajo thotë se profesorët kanë hezituar të ia tregojnë kodin e internetit “edhe qoftëse na tregonin ka bërë vetëm në një anë të shkollës, kurse në këtë vit nuk ka”.    Shkolla mes të tjerash ka mungesë edhe të projektorëve, ndërsa për printer nuk e dinë nëse shkolla posedon pasi që thonë që asnjëherë nuk ia kanë mundësuar të printojnë brenda objektit të shkollës. Ndërsa fotokopjen thonë se e kanë pranuar donacion para disa ditëve.

“Projektorët po, por jo në të gjitha klasat vetëm tek disa. Edhe për printerin nuk e di sigurt a e kemi sepse nuk na tregojnë asnjëherë që mundemi edhe tek shkolla me i printu , po ne i pretojmë nëpër librari”, tregon tutje.


Dy gjimnazistet thotë se mungesa e pajisjeve dhe internetit shpesh herë i ka penguar në përgatitjen e projekteve dhe prezantimeve të dhëna nga mësimdhënësit. Ato theksojnë se do të dëshironin që shkolla t’i siguronte këto pajisje teknologjike dhe qasjen në internet pasi që do t’ua lehtësonte shumë mbarëvajtjen mësimore.


Të njëjtat përgjigje nuk i ka drejtori i kësaj shkolle, Nexhmedin Bardhi. Ai thotë se kapaciteti i dobët i rrjetit e pamundëson qasjen në të gjithë objektin ndërsa sa i përket ankesave të nxënëseve që mësimdhënësit nuk i ofrojnë kodin e internetit ai thekson se kjo çështje duhet të verifikohet.


“Përdorimi i tij (internetit) bëhet në funksion të nevojave mësimore dhe në koordinim me mësimdhënësit, varësisht nga mundësitë dhe kapacitetet e rrjetit. Sa i përket pretendimit se nxënësve nuk u është dhënë fjalëkalimi, kjo çështje kërkon verifikim të mëtejshëm”, thekson ai.

Sa i përket pajisjeve teknologjike drejtori thekson se kabinetet e shkollës kanë kompjuter dhe pajisje të tjera përcjellëse, por e pranon se kanë nevojë për mirëmbajtje dhe riparime dhe se vazhdimisht bëjnë kërkesa për “nevojat edhe për pajisje të reja, me qëllim të zëvendësimit gradual të atyre që nuk janë më funksionale dhe avancimit të kushteve ekzistuese”. Mësimi në shkolla në nivel vendi ka filluar tash e dy muaj dhe nxënësit në gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” përveç pajisjeve kanë mungesë edhe të literaturës drejtori në anën tjetër thotë se çdo mangësi e evidentuar do të trajtohet me seriozitet mirëpo nuk i tregon arsyet pse nxënësit nuk janë të pajisura me libra. “Drejtoria është e interesuar që kjo lëndë të zhvillohet në kushte sa më të përshtatshme, duke ndërthurur njohuritë teorike me punën praktike në kabinete. Për këtë arsye, nevojat për pajisje dhe literaturë trajtohen në bashkëpunim me mësimdhënësit e lëndës dhe aktivet profesionale. Drejtoria mbetet e hapur për çdo shqetësim dhe kërkesë që ndikon në mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe pret raportim të rregullt nga strukturat profesionale të shkollës. Çdo mangësi e evidentuar do të trajtohet me seriozitet, në kuadër të mundësive dhe kompetencave tona”, thekson Bardhi. Gjendjen më të mirë nuk e kanë as shkollat fillore. R.A nxënëse e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë thotë se shkolla asnjëherë nuk ia ka mundësuar qasje në pajisje teknologjike pasi që nuk i posedon ato.  

“Asnjëherë, pasi që asnjë mjet teknologjikë nuk është i siguruar nga shkolla”, tregon nxënësja e klasës së gjashtë teksa thotë se gjatë orarit mësimor përdorin tabela të mençura apo smartboard. Ajo sqaron se mungesa e pajisjeve teknologjike ka pasur raste kur i ka penguar në zhvillimin e aktiviteteve apo finalizimit të detyrave të përcaktuara nga mësuesja.   “Në shkollë do të doja të kisha pajisje teknologjike - laptop, kompjuterë dhe tablet. Kryesisht kompjuterin, për lëndën e TIK-ut”, thekson R.A   

Dëshirë të ngjashme ka edhe nxënësja e klasës së tetë, L.H, në po këtë shkollë. Ajo dëshiron që shkolla të ia mundësoj të gjithë nxënësve qasjen në kompjuter dhe secili prej tyre ta përdorë gjatë orëve mësimore. Përkundër dëshirës së saj në realitet ajo thotë se “mundësitë janë shumë të kufizuara, shumë rrallë, ndoshta vetëm dy ose tri herë gjatë vitit shkollor(përdorin kompjuterë dhe laptopë)”.


Edhe pesëmbëdhjetë vjeçarja thotë se ka pasur raste kur mungesa e kompjuterëve apo internetit i ka penguar në zhvillimin e ndonjë aktiviteti apo përfundimi të detyre.


Ajo sqaron se shkolla ka internet mirëpo është shumë i dobët.

Të njëjtën gjë e konfirmon edhe drejtoresha e kësaj shkolle, Merita Haxhiu Hashani. Ajo thotë se shkolla ka pengesa herë pas here në rrjet.  


Drejtoresha sqaron se aktualisht shkolla posedon 12 kompjuter fal inciativës së dy prindërve, por që në krahasim me numrin e nxënësve janë të pamjaftueshëm.   “Shkolla nuk ka kompjuter të mjaftueshëm në krahasim me numrin e nxënësve. Para dy viteve kemi pranuar nga dy prindër 12 kompjuterë. Gjatë lëndës së informatikës në një kompjuter punojnë nga dy nxënës ka raste edhe tre”, konfirmon ajo derisa thotë së shkolla ka 1070 nxënës. Përveç kompjuterëve me iniciativë të prindërve ajo thotë se disa klasa janë furnizuar edhe me printer e projektor, ndërsa sqaron se për këto të fundit ka kontribuar edhe ministria e arsimit. “Printerë kanë stafi administrativ si dhe falë dashamirësisë së prindërve ka edhe te disa klasë, projektor ka të viteve të ndryshme (3 të siguruara nga DKA si dhe disa te mësueset nga prindërit), 12 tabela digjitale në vitin 2026 nga DKA, një i fituar me një projekt nga MASHT në vitin 2020 dhe 6 me një donacion nga IOM në vitin 2021”, bën të ditur ajo në një përgjigje për Institutin EdGuard. Tutje, drejtoresha thekson se asnjëherë nuk kanë pranuar kompjuterë nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ndërsa shton se para 16 viteve nga USAID kanë pranuar 32 laptopë. MAShT dhe DKA pa koordinim mes vete

Instituti për arsim EdGuard përmes Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka siguruar të dhënat e të gjitha shkollave në nivel vendi sa i përket pajisjeve dhe qasjes në internet. Listës së gjatë të shkollave i prin shifra zero – e cila na tregon mungesën e pajisjeve dhe qasjes në internet. Institucioni më i lartë i arsimit në vend MAShT na bën të ditur që një pjesë e madhe e shkollave dhe njësive tjera të saj ende nuk kanë internet, nuk kanë klasa të veçanta për lëndën e teknologjisë informative, nuk kanë kompjuterë e laptopë, tabletë e tabela digjitale. Në këto të dhëna thuhet se nga 1461 shkolla apo njësi të shkollave në nivel vendi 779 prej tyre apo 53.3% nuk kanë qasje fare në internet. Ndërsa, 682 apo 46.6% e tyre kanë qasje në internet vetëm në një lidhje. Sa i përket klasave për lëndën e teknologjisë informative të dhënat na tregojnë se 959 apo 65.6% e shkollave apo njësive të saj nuk kanë fare klasa të tilla. 42% e tyre apo 614 shkolla nuk kanë fare kompjuter (PC) për nxënës. Shifër më e lartë e mungesës së pajisjeve teknologjike është parë tek tabletët, tabelat e mençura (smartboard) dhe laptopët. 97.3% apo 1421 shkolla apo njësi të tyre nuk kanë tabletë fare, sipas përllogaritjeve në nivel total të shkollave i bie që tabletë kanë vetëm 40 shkolla apo njësi të tyre. Ndërsa sa i përket tabelave të mençura apo smartboard nga të dhënat e ministrisë kuptojmë se 86.4% prej tyre nuk kanë tabela të mençura si dhe 72% apo 1052 nuk kanë laptop.   Nga MAShT thonë se 481 shkolla në të gjithë Kosovën nuk kanë qasje në asnjë pajisje teknologjike dhe lidhje interneti. Shkollat nuk kanë klasa për teknologji informative, kompjuter, tabletë, laptop, TV të mençura (smartboard), projektor, printerë, fotokopje dhe internet.   Sa i përket ndarjeve në kategori, 173 shkolla dhe njësi të saj plotësojnë vetëm një kategori nga 10 kategori sa janë në total. Pra, këto shkolla mund të kenë kompjuter, por jo edhe qasje në internet, apo e kundërta. Ndërsa vetëm 18 shkolla në nivel vendi i plotësojnë 10 kategoritë. Pra, kanë kompjuter, klasa për lëndën e informatikës, qasje në internet, TV smart, tabletë, laptop, tabela të mençura, printer, fotokopje dhe projektor. Në anën tjetër, të dhëna i kanë kundërshtuar disa nga drejtorët e shkollave në Kosovë të kontaktuar nga instituti EdGuard. Në të dhënat e MAShT thuhet se 35 shkolla të komunës së Gjakovës nuk kanë qasje në rrjet, por të njëjtën e kundërshton drejtori i arsimit në këtë komunë, Hysen Brahimaj. Ai bën të ditur se të gjitha shkollat kanë qasje në internet ndërsa sa i përket klasave për lëndën e teknologjisë informative ai sqaron se mungesa e mjeteve buxhetore ia pamundëson të kenë klasa për IT në të gjitha shkollat. Nëse krahasojmë listën e drejtorisë së arsimit në Gjakovë me listën e MAShT dallimet në të dhëna janë të dukshme. Në listën e drejtorisë së arsimit, thuhet se shkolla e mesme e lartë, “Hysni Zajmi”, ka 12 projektor ndërsa ministria thotë se shkolla nuk posedon asnjë projekt. Në po të njëjtën shkollë ministria thotë se janë 18 laptopë ndërsa nga drejtoria thonë se janë 23 të tillë. Situatë e njëjtë është edhe në të dhënat për shkollën e mesme të ulët, “8 dëshmorët” në po këtë komunë. Të dhënat e MAShT thonë se shkolla ka qasje në internet, nuk ka laptop, printer, projektor dhe fotokopje ndërsa të dhënat e shkollës thonë të kundërtën, pra shkolla posedon një lidhje interneti, ka gjithsej pesë laptopë, pesë projektor, dy printer dhe një fotokopje. Sa i përket ndarjes buxhetori, Brahimaj thotë se për vitin 2027 është planifikuar të ndahen njëqind e pesëdhjetëmijë euro për tabela digjitale dhe pesëdhjetëmijë për kompjuterë dhe laptop, ndërsa thekson se kanë bërë kërkesë për pajisje të IT në ministri, por të njëjtit nuk ju kanë kthyer asnjë përgjigje. 150 kompjuterë janë në shkollën teknike “Lutfi Musiqi” në Vushtrri sipas përgjigjeve të pranuara nga kjo komunë, por këto të dhëna nuk i posedon institucioni më i lartë i arsimit në vend MAShT pasi që të dhënat e kësaj të fundit thonë se shkolla nuk e ka asnjë kompjuter. Zero e kanë vendosur edhe në kategorinë e pajisjeve për tabela të mençura, laptop, projektor, fotokopje, TV digjitale ani pse shkolla posedon 51 laptopë, 17 TV digjital, pesë tabela të mençura, 15 projektor dhe një fotokopje. Përveç komunës së Rahovecit e Gjakovës huqje në të dhënat e ministrisë ka edhe në disa shkolla të komunës së Rahovecit. Të dhënat e ministrisë na tregojnë se shkolla e mesme e lartë “Selajdin Mullabazi - Mici” në të cilët vijojnë mësimin 350 nxënës, posedon 40 kompjuterë ndërsa në të dhënat e drejtorisë së arsimit thonë se shkolla nuk ka fare kompjuter. Situatë e ngjashme është edhe në shkollën fillore të mesme të ulët “31 marsi” për të cilën ministria na thotë se nuk ka asnjë pajisje teknologjike madje as qasje në internet ndërsa nga të dhënat e drejtorisë kuptojmë se shkolla ka një qasje në internet, posedon 15 kompjuterë, një tabelë të mençur, dy laptopë, një projektor dhe dy printerë. “Sa i përket hapësirave për organizimin e klasave të veçanta për lëndën e IT-së, shumica e shkollave kanë hapësirë të mjaftueshme. Megjithatë, realizimi i këtyre investimeve dhe pajisja me teknologji të nevojshme mbetet i kufizuar për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore”, thuhet në përgjigjen e komunës. Nga komuna bëjnë të ditur se nuk kanë bërë kërkesë për furnizim me pajisjet digjitale të cilat mungojnë aktualisht në shkolla derisa theksojnë se shumica e shkollave janë të pajisura me printerë dhe fotokopjues. “Në shkollat të cilat nuk kanë rrjet të internetit dhe kabinete të veçanta për lëndën e IT-së, procesi mësimor zhvillohet kryesisht përmes teksteve shkollore dhe materialeve mësimore në dispozicion”, sqarojnë tutje.

33 klasa me smart tabela apo tabela digjitale, pesë kabinete, qasje në internet, kompjuter e pajisje të tjera teknologjike është e pajisur shkolla fillore e ulët “Gjergj Fishta” në kryeqytet. Por të njëjtat të dhëna nuk figurojnë në listën e ministrisë. Sipas ministrisë shkolla ka vetëm një qasje në internet dhe 51 kompjuterë dhe asnjë pajisje tjetër teknologjike. Këto të dhëna janë kundërshtuar edhe nga vet menaxhmenti i shkollës. “33 klasa me smart tabela (i posedon shkolla), duke filluar prej dy klasave të parafillorët e deri te 5 kabinetet përfshirë atë të IT ku nxënësit  shfrytëzojnë secili PC -në e vet gjatë orës mësimore”, bën të ditur drejtoresha e shkollës Supije Zhitija.  

Përveç çasjes në pajisje teknologjike, drejtoresha gjithashtu sqaron se shkolla ka digjitalizuar abetarën dhe lëndën e gjuhës angleze. “Rrjeti i internetit i riparuar për këtë kërkesë dhe me klasat e para ku abetarën e përpunojnë përmes tekstit të digitalizuar nga shtëpia botuese. Po aq edhe tekstet e lëndës së gjuhës angleze gjithashtu të digjitalizuara. Kështu që me plot përgjegjësi dhe kompetencë ju bëjmë me dije që mësimdhënia dhe të nxënit zhvillohen me përkushtim për t'i kontribuar kompetencave të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve për ta zhvilluar potencialin e secilit nxënës nga 869 sosh sa i ka shkolla duke synuar pikërisht fuqizimin e kompetencës digjitale”, thuhet në përgjigjen e drejtoreshës dhënë për Institutin EdGuard. Nga kryeqyteti në anamoravë, edhe në shkollat e Kamenicës, ka pasaktësi në të dhënat e ministrisë sa i përket pajisjeve teknologjike. Sipas ministrisë shkolla fillore e mesme e ulët, “Metush Krasniqi” nuk e posedon asnjë pajisje teknologjike madje as qasje në internet, por komplet e kundërta është në të dhënat e komunës.   Komuna thotë se shkolla ka një qasje në internet, një klasë për IT, 28 kompjuter, një tabelë digjitale, 12 laptopë, 16 TV të mençur apo smartboard, nga dy projektor e printer si dhe tre fotokopje. “Për shkollat e Komunës së Kamenicës ka disa pasaktësi”, konfirmon drejtoria e arsimit në një përgjigje për Institutin EdGuard. Në anën tjetër, të dhënat janë të sakta në dy shkollat e mesme të ulët “9 maji” dhe “Dëshmorët e Kombit” si dhe në shkollën e mesëm të lartë “Gjimnazija”.

Pas pranimit të këtyre të dhënave Instituti EdGuard ka kontaktuar përsëri ministrin e arsimit për të pyetur se pse të dhënat e tyre nga ato të drejtorive të arsimit kanë dallime të mëdha, të njëjtit fajin ia kanë hedhur drejtorive të shkollave duke thënë se këta të fundit janë përgjegjës për përditësimin e të dhënave. "Sipas arkitekturës së funksionimit të sistemit SMIA, përditësimi i të dhënave bëhet nga vetë shkollat, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka qasje për të bërë ndryshime apo përditësime në të dhënat e regjistruara. Roli i Ministrisë është të gjenerojë raporte bazuar në të dhënat e deklaruara dhe të përditësuara nga shkollat”, thuhet në përgjigjen e ministrisë dërguar institutit. MAShT përgjegjësin për saktësinë e të dhënave e vendosë direkt mbi menaxhmentin e shkollave.

“Prandaj, përgjegjësia për saktësinë dhe përditësimin e të dhënave bie mbi shkollat përkatëse. Gjithashtu, ju njoftojmë se të dhënat i referohen gjendjes për vitin shkollor 2025/2026”, sqaron tutje ministria.


Mungesa e pajisjeve digjitale pengesë për procesin mësimor 

Mungesën e internetit dhe pajisjeve teknologjike e sheh pengesë për procesin mësimor, njohësi i arsimit, Dugagjin Popovci.


“Një situatë e tillë i privon mësimdhënësit nga mundësia e shfrytëzimit të teknologjisë për demonstrim dhe konkretizim, ndërsa nxënësit nga mundësia për t'i përvetësuar njohuritë në mënyrë më të lehtë dhe më të natyrshme”, thekson ai.


Ndonëse me ndarjen buxhetore, MAShT për periudhën 2023-2025 ka planifikuar rreth 16 milion euro për këtë qëllim, Popovci thotë se prap nuk është bërë asgjë lidhur me këtë problematik.


 “Me gjithë faktin që në periudhën 2023-2025 janë ndarë rreth 16.5 milion euro nga buxheti i Kosovës për këtë qëllim, nuk është shpenzuar asgjë. Kjo ka qenë përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit. Shpresoj se me krijimin e Ministrisë së Digjitalizimit ky problem do të adresohet në mënyrë më efektive”, shprehet ai.


Sa i përketë dallimit të nxënësve që kanë qasje në kompjuter në shtëpi dhe aty që nuk kanë Popovci thotë se sipas raportit të PISA këta nxënës janë vlerësuar me vetëm 13 pikë më tepër në lëndën e matematikës se pjesa tjetër e nxënësve që nuk kanë qasje fare në kompjuter.  


“Sipas rezultateve të PISA 2022, rreth 83% e nxënësve të përfshirë kanë deklaruar se kanë kompjuter në shtëpi që mund ta përdorin për qëllime mësimore. Dallimi në mes tyre dhe nxënësve që nuk kanë kompjuter në shtëpi në testin e matematikës është 13 pikë që vlerësohet të jetë pak më shumë se gjysmë viti mësimi”,sqaron Popovci.


“Ndërkaq, në vendet e OECD dallimi në mes të këtyre dy kategorive është pothuajse 3 vite mësimi. Kjo sugjeron se edhe ata nxënës që kanë kompjuter në shtëpi nuk dallohen shumë nga ata që nuk kanë që do të thotë se kompjuteri nuk shfrytëzohet në masën e duhur për të mësuar, e kjo nuk ndodhë sepse as në shkollë nuk shfrytëzohet”, sqaron tutje. 


Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) tash e 10 vite është duke ripërsëritur të njëjtin rekomandime sa i përket pajisjeve teknologjike.


Në rekomandimet e PISA për vitin 2025 është i njëjti rekomandime me atë të vitit 2015, në raport thuhet se në shkollat e Kosovës duhet të përmirësohet infrastruktura shkollore përmes pajisjeve teknologjike për lëndën informative, të pajisen me internet dhe materiale laboratorike si dhe të sigurohen libra e literaturë shtesë për nxënësit.


Në anën tjetër, në plan- programin e Qeverisë premtohet se të gjitha shkollat do të pajisen me tabela të mençura si dhe do të shpërndahet qasja në rrjet në njëmijë institucione të arsimit para universitar.


Gjithashtu është premtuar digjitalizim i certifikatave dhe materialeve shkollore./InstitutiEdGuard  







 
 
 

Comments


EdGuard Institute

Institute for Education Studies

Email: info@edguard.org

Telefoni: 00 383 38 77 88 90 

Abonohu në buletinin tonë për përditësimet më të fundit!

Ju faleminderit!

© 2025 EdGuard Institute

bottom of page